Njoftim - Sot, me datë 21.05.2020, morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Musa Stavileci

    Njoftim - Sot, me datë 21.05.2020, morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Musa Stavileci Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se u nda nga jeta Profesor Musa Stavileci, profesor i dashur i respektuar dhe i pa harruar i cili me përkushtim te madh dha kontribut shkencore dhe akademik në Institucionin tonë


    Profesor Musa Stavileci kishte një rrugëtim të jashtëzakonshëm akademik dhe jetësor duke lënë mbrapa gjurme krijuese dhe produktive e të pa harruara ne kujtesën e të gjithëve. Jeta e profesor Muses është e gjitha e lidhur me Institucionin tonë, duke qenë misionar i diturisë dhe kontribuues i përgatitjes së brezave të njëpasnjëshme të vendit tonë dekadë pas dekadave.

    Profesor Musa do të mbahet mend përgjithmonë me punën e tij akademike dhe veprat që la mbrapa, me pedanterinë akademike dhe cilësitë shembullore të një mësimdhënësi. Ai ja kushtoj tërë jetën vitale Fakultetit duke ja rritur cilësitë e Institucionit si dhe duke shkolluar breza të vendit nga shumë prej të cilëve sot janë mësimdhënës.

    Prof. Dr. Musa Stavileci lindi në Gjakove, me 15 janar 1948, shkollën fillore e përfundoj në vendlindje ndërsa të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1974 përfundoj studimet e larta në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, për Inxhinier të Ndërtimtarisë, ndërsa studimet e magjistraturës i përfundoj në vitin 1981 në Universitetin e Zagrebit. Mbrojti disertacionin në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në vitin 1991.

    Në vitin 1972 u zgjodh asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës ku më pas u avancua në të gjithë titujt Universitarë.

    Profesor Musa ishte Profesor i rregullt në Institucionin tonë, në programet e studimeve të të gjitha niveleve për Inxhinier të Ndërtimtarisë – Konstruktiv për lëndët e fushave të teorisë së Strukturave sikur: Stabiliteti i Strukturave dhe Dinamika e Konstruksioneve, Teoria e sistemeve sipërfaqësore, Hyrje në Ndërtimtari etj. Autorë i teksteve Universitare “Metodat e Elementeve të fundmë në mekanikën e strukturave”, “Teoria e Strukturave - Stabiliteti”, “Teoria e Sistemeve Sipërfaqësore” etj.

    Ndërsa kreu detyra të ndryshme në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës duke qenë shef i katedrës së teorisë së konstruksioneve si dhe Dekan i Fakultetit nga viti 2004 deri në 2009.

    Me përvojën e tij prej disa dekadash të akademikut, ai ishte motivues i vërtetë për gjeneratat e reja si dhe për pedagogët e Institucionit tonë. Për 50 vite ai ja kushtoj Arsimimit Universitar në Kosovë, 50 gjenerata e mijëra studentë - një jetë e tërë në auditorët e Universitetit.

    Shkuarja në përjetësi e ndau nga studentët dhe nga kolegët dhe do të jetë e vështirë të pajtohemi pa prezencën e profesor Musës. Gjithmonë do të na shoqërojnë veprat, pedanteria dhe kujtimet për te, do të flasim për te.

    Ne kujtimin që kemi për te, do të provojmë të gjejmë ngushëllim dhe inspirim për punën tonë.

    Lavdi jetës dhe veprës së tij.

Arkiva e lajmeve

«maj»
MaEnPrShDi
27282930123
4 5678910
11121314151617
181920 21222324
25 262728293031
1234567