Historiku i Fakultetit

     Themelet e studimeve nga fusha e shkencave teknike, pra edhe atyre të ndërtimtarisë dhe arkitekturës, u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike të Prishtinës, më 20 tetor 1961. Kjo shkollë kishte në gjirin e saj tri drejtime: ndërtimtarinë, elektroteknikën dhe makinerinë.
     Pas katër vjet pune të suksesshme të kësaj shkolle, filloi procedura për hapjen e Fakultetit Teknik të Prishtinës. Kjo ishte kërkesë e kohës, meqë ndiheshin nevoja të mëdha për shkollimin e kuadrove të profileve të ndryshme teknike.
     Më 9 nëntor 1965 u hap Fakulteti Teknik, por vetëm me Departamentin e Ndërtimtarisë. Mësimi filloi më 10 dhjetor 1965 me gjithsej 138 studentë, pesë ligjërues dhe pesë asistentë. Ai zhvillohej në dy salla me nga 40 karrige dhe në një amfiteatër me 202 ulëse.
     Më 30 tetor 1967, Pleqësia e Fakultetit Teknik vendosi të hapeshin edhe Seksionet e Makinerisë dhe Elektroteknikës. Ndërkaq në Tubimin e punonjësve të Fakultetit Teknik, të mbajtur më 12 maj 1977, u morr vendimi për hapjen e Seksionit të Arkitekturës. Në këtë seksion mësimi fillon nga viti akademik 1978/79. 
     Historiku i zhvillimit të veprimtarisë mësimore-shkencore në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë mund të ndahet, deri sot, në pesë faza që karakterizohen me disa specifika:

 - e para /1961-1979/ përfshin periudhën prej themelimit deri te transformimi i Fakultetit Teknik në tri Organizata Themelore të Punës së Bashkuar (OTHPB),


 - faza e dytë /1979-1988/ përfshin periudhën prej konstituimit të OTHPB-së Ndërtimtaria dhe Arkitektura deri në pavarësinë e plotë në ndarjen e Fakultetit Teknik në tri fakultete, pra edhe në atë të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës,


 - faza e tretë /1988-1991/ ishte periudhë e vështirë zhvillimi; në fund të kësaj faze, siç dihet, lokalet e fakultetit u morën me dhunë nga forcat policore serbe,


 - faza e katërt /1991-1998/ është ajo e organizimit të mësimit nëpër shtëpi e lokale të tjera private dhe


 - faza e pestë ka nisur më 1998, me kthimin në lokalet e fakultetit.

     Fillimisht, Fakulteti Teknik trashëgoi nga Shkolla e Lartë Teknike katër ndërtesa të ish kazermës. Këto ndërtesa, të përshtatura për mësim, kishin një sipërfaqe prej 4994 m2. Në vitin 1970 u ndërtuan edhe dy baraka me 1397 m2 dhe, me mbindërtimin e një kati të ri në objektin e Fakultetit Juridik, më 1974, sipërfaqja u rrit edhe për 800 m2. Për shkak të mungesës së kuadrit arsimor mësimi zhvillohej në gjuhën serbokroate, kurse në gjuhën shqipe mbaheshin ushtrimet vetëm nga disa lëndë mësimore.
     Mungesën e kuadrit mësimor shqiptar të asaj kohe e mbuloi një numër mësimdhënësish i fakulteteve përkatëse nga Beogradi, Nishi, Sarajeva dhe Shkupi. Deri më 1970, Fakulteti Teknik ishte në kuadër të Universitetit të Beogradit. Krahas kuadrove nga jashtë, ligjërata dhe ushtrime mbajti edhe një numër i kuadrove shqiptarë, të diplomuar në universitetet e ish-Jugosllavisë. Këta të fundit krijuan, bashkë me pedagogët e angazhuar nga Shqipëria, bazë të mirë të një suksesi më të madh për përballimin e kërkesave të kohës në sigurimin e kuadrit vendor.
     Themelimi i Universitetit të Prishtinës më 1970 mundësoi një bashkëpunim të frytshëm edhe me Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ky bashkëpunim u realizua me intensitet më të madh në vitet akademike 1971/72 dhe 1972/73, për të vazhduar deri në shpërthimin e demonstratave të njohura të studentëve dhe të popullatës shqiptare të Kosovës më 1981.
     Me ndërtimin e objekteve të reja u krijuan kushte më të mira për punë dhe veprimtari mësimore shkencore. Ç’është e vërteta, që nga viti 1978, kishin filluar të ndërtoheshin objektet për nevojat e Fakultetit Teknik të kohës. Në vitin 1982, veprimtaria e fakulteteve teknike kaloi në objektin me sipërfaqe prej 11455 m2, që ishte caktuar vetëm për nevojat e Seksionit të Makinerisë. Ndërkaq, në janar të vitit 1985 u vunë në përdorim edhe laboratoret e elektroteknikës me 4205 m2 dhe të ndërtimtarisë me 5650 m2. I gjithë kompleksi i godinave të Fakultetit Teknik parashihej të ndërtohej në faza të caktuara në një sipërfaqe prej 16 ha, gjë që deri sot nuk u realizua. Përderisa mësimi në departamentin e arkitekturës zhvillohet në një pjesë të godinave të ish selisë së Fakultetit Teknik.
 
     Gjate gjithe kësaj kohe mund te përmendim disa nga aktivitet e FNA-së si:
 
-        mësimdhënia,
-        hulumtimet shkencore,
-        këshillime shkencore,
-        botimi i teksteve universitare dhe monografive,
-        botimi i buletineve shkencore,
-        studime kërkimore shkencore,
-        bashkëpunimi me ekonomi,
-        bashkëpunime me fakultetet si motra të universiteteve të jashtme,
-        konsultime multidisciplinare plan programesh mësimore të fakulteteve tjera,
-        angazhimi i studentëve në punë praktike nëpermjet projekteve konkrete,
-        vlerësimi i mësimdhënies dhe
-        mësimnxënies.
Procesi i zhvillimit ne periudhen 1999- deri sot:
     Fakulteti i Ndertimarise dhe Arkitektures konform kërkesave te parashtruara ne vitin 2002/2003 filloi punen konform kërkesave sipas Deklarates se Bolonjes, ne sistemin Bachelor e pastaj ne vitin 2005 edhe ne sistemin Master.
     Konform kërkesave te ekonomise se tregut ne vitin 2003/2004 u hap programi studimor i Gjeodezise ne nivelin Bachelor.
     Me kërkesë të avancimit të vazhdueshëm të studimeve sipas deklaratës së Bolonjës në vitin shkollor 2007/2008 u aprovuan planet mësimore të reformuara sipas kërkesave për numër të lëndëve dhe kërkesave për ECTS, për nivelin Bachelor dhe Master.
     Në vitin shkollor 2008/2009, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës iu nënshktrua procesit të Akreditimit nga Agjencia për Akreditim, me crast u akredituan programet për Bachelor dhe Master.
     Me pastaj zhvillimi i Fakultetit na shpie deri te hapja e programit studimor ne nivelin Master: Infrastrukture rrugore qe fillon ne vitin shkollor 2011/2012